Thursday, January 3, 2008

ROMANI LAJTHITJE DIMËRORE

LAJTHITJE DIMËRORE

Roman


Rozi Theohari


Lajthitje dimërore

ROZI THEOHARI

LAJTHITJE

DIMËRORE

R O M A N

Shtëpia Botuese “Vatra”

Tiranë, Shkurt 2004


Rozi Theohari

Redaktor:

NIKO DAKO

Ilustrimet:

PANDI MELE

Përkujdesja grafike:

BUJAR KAROSHI

Botues:

SHB “VATRA”

© Autori

ISBN 99927-927-2-8

Shtypur në shtypshkronjën “Dita 2000”


Lajthitje dimërore

MOTRËS SIME

AFËRDITA


Rozi Theohari


Lajthitje dimërore

1

– Lajme të reja për këshillin e familjes! – tha

xha Mihali, duke ngjitur shkallët me kujdes e duke

tundur një zarf.

Gliqeria, e shoqja, po dremiste në minderin e

kuzhinës, e nanuritur nga avujt kundërmues të

gicit në furrën e sobës. Ajo nuk e kishte dëgjuar

të trokiturit e pandërprerë të postierit në portën e

jashtme.

– Gliqe moj, që fjetsh të madhë..., hap veshët

mirë e dëgjo ç’të shkruan jot kushërirë.

Gliqëria lëvizi trupin e mbushur, shkundi kokën

me flokët e dendur të mbledhur topuz prapa dhe

hekurosi me dorë palat e gushës.

- Vëri dru sobës dhe më sill syzet këtu, urdhëroi

ajo.

Xha Mihali, “xhaxhai i dasmave”, si ia kishin

ngjitur nofkën, ishte trupthatim, por fytyrën e

kishte të rumbullaktë e faqekuqe, ashtu siç e kanë

zakonisht njerëzit e qytetit S. Ai zotëronte një zë

të hatashëm, ndaj e thërritnin rëndom nëpër

dasma e gostira.

– Ncë... ncë... ncë...,- rrahu gjuhën “xhaxhai i

dasmave”, - domethënë u bëka aheng edhe pa xha

Mihalë!...


Rozi Theohari

Ai i vari syzet në hundën e madhe të Gliqerisë

dhe u mbështet përbri saj, në këndin e shtruar

me velenxën e kuqe.

– E di ç’ke? Lexoje më mirë ti, se mua më

dridhen duart, - tha Gliqeria dhe u mbështet në

jastëkun e qëndisur me zogun e parajsës.

“... Të dashurit tonë Mihal dhe Gliqëri, - nisi të

lexonte ai. – Ja ku po ju shkruaj të nesërmen e

dasmës... Ju falemnderit për peshqeshin, jua

paçim borxh në gëzimet tuaja... Na erdhi keq që

s’ju kishim këtu, por ju japim të drejtë, është rrugë

e largët, dimër, ftohtë...”

Gliqeria e ndërpreu dhe tha nëpër dhëmbë:

– Posi, posi, se ra sheqeri në ujë. Dasmë në

mes të dimrit.

“... Të keqen, Gliqeri, mos je akoma e zemëruar

me gjithë ato gjërat e papëlqyera që ndodhën me

krushqinë e Koli Çezmaxhiut? Mblesëria jote ishte

pikë, e goditur, po kjo dambllamadhja jonë na

turpëroi soj e farefis e na bëri të degdisemi e të

rrojmë larg jush... Po edhe këtu nuk jemi rehat.

Ishte e thënë që ajo, pikërëna ime bijë, të martohej

shpejt me këtë djalin që e kishte pleksur...”

Gliqeria dëgjonte duke rrudhur buzët, në fytyrë

i dukej qartë fyerja dhe moskokëçarja njëkohësisht.

– Ja ku shkruan arsyen pse e bënë dasmën

kaq me ngut, - sqaroi Mihali.

– Eh...,ajo dihet..., u bë modë sot me nuset...

Në kokë u lëviz velloja, në bark kalamani! - Tha

Gliqeria me shpoti.

– Mos ia këput më tym kështu për Mirelën tonë,

mos grua, dëgjo njëherë...

” ...Gliqeri motër, dasmën e bëmë pak rrëmbyerpër shkak të sime vjehrre. Është shumë, shumë

sëmurë, ç’t’ju them. Hem ajo vetë po vuan, hem


Lajthitje dimërore

tërë shtëpia. Pleqëri hesapi. “ Dua, thoshte, të ha

dhe dasmën e mbesës, pa të vdes.” ... Dhëndrin

pothuaj s’e njohim fare. Na vinte rrallë se kanë

shumë punë. Besoj, më shumë do ta njihni ju

andej. Një gjë, veç, Gliqeri xhani, kam merak për

çupën. Rri, rri, mendohem dhe them: “Si u bë kjo

punë kështu! Me një të parë dhe..., fejohu. Pastaj,

dhe dasma u bë shpejt. Më ha meraku se si do të

shkojnë me njëri – tjetrin...”

– Po domosdo që do ta hajë. Kur bën punë me

kleçka, - s’duroi dot Gliqeria.

“... Dhëndri s’para donte, po kësaj sonës i hipi

në kokë, ja të shkojmë në mal, ja s’ka. Më një të

janarit nisen, prandaj ju lutemi tepër, si farefis i

afërm që jemi, na i kini kujdes...”

– Kot që s’shkuam, Gliqe, – mërmëriti xha

Mihali tek palosi letrën.

– Ku? ... – Iu hakërrua ajo të shoqit.

Në dasmë, de... Gjithnjë kokën tënde ke

dëgjuar! Po të isha unë atje do ta tundja... Do t’i

përdridhja të gjithë si fugë... Dhëndri me nusen

do të sevdalliseshin më shumë... , rakia do të

derdhej lumë..., çupat do të digjeshin në faqe, pa

do ta pija e ta bëja thumb e karroqe atë

gojështhururin, krushkun Nasi me mustaqet...

– Nuk do të kataferrje gjë jo, ... jo, e ka marrë

ferra uratën, - rënkoi lehtë Gliqeria. – Që s’i kanë

punët mirë, duket sheshit... Kam frikë se ai

dhëndri na e ka gënjyer çupën.

– E pse nuk të shkon në mend se çupa jonë

mund ta ketë “gënjyer” dhëndrin? Sot martohen

të gjithë me sevda... Harroje Mit Gradishtën që

ka mblesëruar tim atë dhe nja dhjetë qorra... pardon...

qerre me burra e gra!

– Ç’t’u kujtua Miti i shkretë!


Rozi Theohari

– M’u kujtua se më erdhi në gojë kënga :

Atje poshtë te Larushku

Më i madh dhëndri se krushku! ...

Xha Mihali filloi ta hollonte, ta dridhte, ta zgjatte

e ta spërdridhte zërin, sa kënga mori mëhallën.

– E, e mjaft, de, mjaft...Kur zë një pa një e

s’pushon... Pa na thuaj, kujt ja ke ngritur këtë

këngë? – Pyeti Gliqeria.

– Pa shikoje një herë atë derrkuckin, se më

duket u poq,– lëpiu buzët Mihali, pastaj vazhdoi: -

Në Larushk, që thua zotrote, më thirrën në një

dasmë... Mblesërinë e kishte bërë Mit Gradishta,

po e kishte katranosur kësaj here... Dhëndri ishte

më i madh se vjehrri... Isha i ri atëherë, azgan

djalë, zërin e kisha bilbil, oreksin mashalla. Mund

të kapja një burrë për jake të xhaketës me dhëmbë

e ta ngrija havadan. Dasma po, me të ngrëna e

me të pira pa hesap..., që thua zotrote, e stisa dhe

u ngrita e këndova këtë këngë!

– I di, i di, të gjitha këto, - s’iu durua së shoqes,

-po për cilin e ke stisur këtë këngë?

– E hë... , s’ta tregoj ... , sekret profesional! –

Qeshi Mihali. – Po thuaj si të duash, rruan e

trashëguan, janë dhe sot, pardon, e shoqja me

fëmijët, se plaku është harruar që kur ka vdekur.

E, t’i përmënd të gjitha këto, e nderuara ime zonjë,

për të të bindur se dasmat që kam dasmuar unë,

kanë qëlluar të mbara dhe çiftet kanë rruar,

trashëguar e plakur si pëllumbat. Kjo jot kushërirë,

që mos ia arriftë...

– Fajin e kam unë, - e ndërpreu Gliqeria.

– Si ti, si ajo, mëndjefyçka të dyja. Ku e lashë?

Kjo jot kushërirë ta dinte se një taksi të paguante

e të dërgonte të më merrte, në vend që të na

shkruante këta dy gisht letër.


Lajthitje dimërore

2

Qielli i bardhë i janarit mbulonte kodrat e ulëta

dhe gjithë qytetin bregdetar. Nëpër rrugë

mbretëronte rrëmuja e zakonshme e ditëve të

festave. Era e ftohtë merrte me vehte letrat shumë

ngjyrëshe të kapeleve të fëmijëve dhe copra

urimesh e fjalë përgëzimi që kalimtarët ja dërgonin

njëri – tjetrit.

Edhe në stacionin e trenit dhe në rrugët që të

çonin drejt tij, kishte lëvizje të madhe. Të vinte

çudi se si tamam ditën e parë të Vitit të Ri, në

këtë ditë të hareshme, njeriu mund t’i hipte trenit

dhe të niste një udhëtim të mërzitshëm. Por,

mbase, nuk ishte udhëtim i mërzitshëm, sepse

treni mbushej plot me udhëtarë çakërrqejf që

hipnin ose zbrisnin nga vagonat, që kushedi ku e

kishin kaluar natën e Vitit të Ri dhe po ktheheshin

në shtëpi më të gëzuar nga ç’ishin nisur.

Në vagonin e fillimit, Mirela e Pirro Morina, zunë

dy vende pranë dritares nga ajo anë ku mund të

përshëndesnin njerzit e tyre, poshtë në platformë

Mirela hapi dritaren dhe u përkul jashtë, duke u

tundur dorën prindërve të saj dhe atyre të Pirros,

të afërmve, shoqeve e shokëve.


Rozi Theohari

– Nuse, mjaft tani, mbyll dritaren, se do të

ftoheni, – tha nga jashtë njëra prej grave.

– Dhe dëgjo, vish pallton, mjaft ndënje ashtu

lakuriq, - e këshilloi vjehrra.

Mirelës i pëlqente të rrinte vetëm me kostumin

e bardhë që i shkonte mjaft me flokët e kuqërremtë

në ndryshk dhe me një lule të vogël të bardhë të

vendosur me kujdes midis kaçurrelave. Asnjë stoli

e tualet tjetër nuk kishte përdorur, megjithatë,

sytë e saj të zinj të mëdhenj dhe fytyra tepër e

bardhë, tërhiqnin vëmendjen e kalimtarëve. Kurse

Pirros kostumi blu ja tregonte më të errët sytë e

kaltër. I gjatë, sa i vrenjtur e i hequr në fytyrë,

dukej se atij një merak i qëndronte gjthnjë varur

mbi kokë. Ai hodhi me bisht të syrit vështrime

majtas e djathtas për t’u siguruar se në vagon

ishte vetëm me nusen e tij të dashur dhe pastaj

nxorri kokën në dritare.

Ndërsa çifti përshëndeste me dorë, një grua e

hollë, me syze miopi dhe flokët e rregulluar me

permanent të vogël, hipi në vagon. Kur konduktorja

u bë gati të mbyllte kalimin gruaja me syze, me

gjeste të alarmuara i tregoi të shoqin që nxitonte

me një valixhe të madhe në dorë dhe cigare në

buzë. Ndërkohë që treni ishte vënë në lëvizje,

Mirela u zgjat jashtë dritares dhe u dërgoi një të

puthur prindërve.

– Nuse, aman, dritaren... Me këtë të ftohtë do

të merrni ndonjë bronko..., -u dëgjua përsëri zëri

i njërës prej grave.

Pirroja e uli dritaren dhe tek rrinte, pa se pranë

ndënjëses së tyre qëndronte në këmbë një djalë

me kitarë në dorë.

– Mund të ulem? – Tha ai.

– Janë të zëna! – U përgjigj Pirroja pa qejf...


Lajthitje dimërore

– Arjan! Eja se gjeta vend këtu, – i thirri

djaloshit një vajzë pak më tej.

Mirela zgjati kokën dhe pa vajzën.

– Nuk e dija se ishin çift, - u shfajësua Pirroja.

– Të posamartuar, si ne, - tha Mirela.

– Nga e di ti?

– E kemi të shkruar në ballë, - qeshi ajo.

Ai e pushtoi lehtas dhe ia afroi kokën tek supi.

Atë çast ishin afruar gruaja me syze dhe burri

i vonuar me valixhe. Pa pyetur fare, ai e vendosi

valixhen lart dhe u lëshua rëndë – rëndë pranë

Mirelës. Kur pa që e shoqja bëri një gjest

nervozizmi, burri u përkul si për të kërkuar ndjesë

dhe ndënji pranë Pirros.

– E turbullon duhani zonjushën? – pyeti Pirron.

– Jo, pse? – tha ky disi i habitur.

– Edhe treni besoj se nuk ju zë, ë?

– Epaminonda! – ju kthye e shoqja në qortim.

– Jo, po, ta dimë, - tha ai – ç’të keqe ka?

Qeshën shpenguar, ashtu si kot, që të katër.

Pastaj Nonda hoqi pallton gubë, dhe e vari. Doli në

një kostum të zi dopiopet, pak të ngushtë për trupin.

Koka e madhe dhe e rrumbullakët i anonte pak

nga e majta sikur i peshonte, ndërsa sytë e vegjël

dhe depërtues dukej sikur pyesnin vazhdimisht. I

përfshirë në rrezen e shikimit të së shoqes, ai bëri

disa gjeste të ngatërruara me të cilat i shpjegoi

Pirros se mund t’i ndërronin vendet. Përfundimisht,

të dy çiftet u ulën përkrah njëri tjetrit.

Nëpër vagona jehonte një zhurmë e përzier

britmash, urimesh, qeshjesh dhe shtytjesh. Kjo

“rendje” në ditët e festave e kishte mbushur trenin

plot. Të gjitha vendet ishin të zëna, njerzit rrinin

ngjeshur, madje edhe në këmbë.

Aty nga thellësia e vagonit u dëgjuan akordet e


Rozi Theohari

para të kitarës së djaloshit, Arianit. Nondën se

mbante vendi, ngrihej, shikonte, zgjaste veshin

ndërkohë që e shoqja, e turpëruar nga të gjitha

këto lëvizje të tij, e tëhiqte fsheurazi nga xhaketa.

– E po, të njihemi, -tha ai duke iu drejtuar

Pirros.

– Nonda Qukësi, nëpunës, ime shoqe Serafina,

pensioniste, vuan nga një neurozë...

Prezantimi shkaktoi reagime të ndryshme.

Mirela kafshoi buzën e mezi e mbajti të qeshurit.

Pirroja, që gjatë gjithë kohës qëndronte si i

bezdisur, i mbante sytë jashtë dritares. Serafina,

e mërzitur, i binte vazhdimisht me bërryl të shoqit.

Nonda priste duke i parë me sytë e tij gazmor, plot

mirësi.

Heshtjen e prishi Mirela:

– Pirroja, burri im, mekanik ... Mirela,

infermiere. Të dielën u martuam.

– Ah! Çift i ri! Përgëzime, urime, një mijë

urime... Edhe ne po ashtu... të dielën, - tha Nonda.

– Të dielën? – Pyeti Pirroja, i habitur.

Nonda ndjeu më shumë se kurrë bërrylin e së

shoqes në kurriz...

– Pse, mos dini njeri që është martuar të

hënën?

– Qënkeni shakaxhi, -tha Pirrua me qejf.

Nonda u mat të thoshte diçka por Serafina s’ia

ndante bërrylin nga ijet. Ai ia shkeli syrin.

– Për ku? – pyeti Mirela.

– Në kampin malor të qytetit S. – tha Serafina.

– Edhe ne aty po shkojmë.

Bisedën e tyre e ndërpreu konduktorja, një

flokë kaçurrele bionde me divizën blu të shërbimit,

që i rrinte puq pas trupit.

– Biletat, shok... , biletat në përgjithësi...Ou


Lajthitje dimërore

....! Në mos gabohem, një çift i ri, - tha ajo kur vuri

re lulen e bardhë në flokët e Mirelës. – Të

trashëgoheni! – Ajo u shtrëngoi duart të dyve. –

Jetë të lumtur... Me mbarësi po e nisim Vitin e Ri.

– Ju faleminderit, - u përgjigj Nonda dhe i

zgjati edhe ai dorën.

Pirroja nxori me ngut nga çanta një kuti me

llokume dhe e hapi me ceremoni.

– Ou... po këto janë të tepërta, - tha

konduktorja dhe, me llokume në dorë, uroi sërish.

Epaminonda, me një shkathtësi që s’i shkonte

fare, ia rrembeu Pirros kutinë e llokumeve dhe

mori një për vete.

– S’janë të tepërta hiç, shoqja konduktore, këto

janë tamam për sot. Haj, urime, përgëzime,

trashëgime. Na, more, shoku polic, - i thirri ai policit

të vagonit. – Po eja këtu e na uro çiftet e reja...

Polici u afrua me çap të ngadaltë, lëvizi pak

kapelen mbi ballë dhe, pa marrë akoma llokumin,

i tha Pirros:

– Të trashëgoheni, me një djalë!

– Faleminderit dhe me gazet tuaja, - tha Nonda.

– Po ju, vjehrri? – Pyeti polici.

– Shkesi! – Tha Nonda me shaka.

Polici i rrahu krahët me dashamirësi dhe u

largua.

U dëgjuan përsëri akordet e kitarës. Nonda

kërceu nga ndenjësia sikur e shtyu njeri nga poshtë

me sustë.

– Ika unë, Serafinë, - paralajmëroi të shoqen,

– dhe ki kujdes se mos të ngjitet llokumja pas

dhëmbëve e të dalin protezat...

Ai u zhduk në mes të udhëtarëve para se të

merrte vështrimin kërcënues të saj.

Te Ariani e nusja e tij, kishte krisur kënga. Ariani


Rozi Theohari

shoqëronte me kitarë një grup të rinjsh e të rejash

që rrinin në këmbë. Midis tyre çau koka e Nondës.

Të rinjtë i lëshuan vend dhe e ndërprenë këngën.

– Mosni, mosni, përkundrazi... , ju lutem

vazhdoni, - tha Nonda i skuqur në fytyrë dhe filloi

të mbante ritmin me dorë. Pastaj, me një zë të

këndshëm baritoni, ia nisi vet këngës.

Ftujkes e bardhë, moj me zile...

Djemtë e vajzat përplasën duart dhe e

shoqëruan deri në fund. Gjatë gjithë kohës

Serafina e mbante kokën zgjatur në drejtim të

këngëtarëve, duke hetuar me dyshim çdo lëvizje

të të shoqit.

– Epaminonda vdes për një çikëz këngë... , - u

tha Pirros e Mirelës, por dukej sheshit se ky “huq”

asaj nuk i pëlqente aq fort.

I shoqi u kthye pas pak, duke u troshitur nga

rrapëllima e trenit e duke fshirë qafën me shami.

– Sa bukur këndoni! – i tha Mirela.

– Unë kam kënduar në korin e Asamblit të

Ushtrisë. Do të më merrte Opera, por m’u bë një

kallo në fyt dhe që atëhere...

Nonda e preu fjalën përgjysëm, mbasi ishte

afruar Ariani me nusen, Nelin.

– Me sa morëm vesh... të posamartuar... Ju

urojmë jetë të lumtur, - tha Neli disi e emocionuar

dhe i zgjati dorën Mirelës dhe Pirros.

– Mund t’i ndani edhe këto bombone? Edhe ne

jemi..., - i tha Ariani Nondës.

– Me kënaqësi, - tha Nonda dhe filloi t’u jepte

bombone disa udhëtarëve që ishin afër.

– Urime, u dëgjua gjithandej, - çiftet e reja

shtrënguan duart.

Nonda, me zellin e tij të veçantë, shkoi dhe më

tej. U afrua tek një ndenjëse ku ishin ulur një


Lajthitje dimërore

burrë me syze dhe një plak. Syzja gjatë gjithë

kohës ishte i zhytur në leximin e një libri, ndërsa

plaku po lexonte në gazetë artikullin “Festa

tradicionale e Vitit të Ri...”

– S’është serioze! – tha syzja.

– Kush? – pyeti plaku.

– Na qerasin me ëmbëlsira sikur jemi kalamanj

– Tamam, jemi burra apo ç’jemi? - tha Nonda

që i kishte dëgjuar.

Ai nxitoi, rrëmbeu çantën e së shoqes dhe nxori

që andej një shishe raki.

– Kështu po, - tha plaku dhe u afrua të uronte

çiftet.

– Me fat të bardhë, me jetë të bardhë, si kjo

borë që po bie! – tha ai.

Kishte nisur të binte borë me flokë të imët. Në

dritaret e trenit u mblodhën fëmijët duke lëshuar

piskama gëzimi e hareje. Dikush ia mori këngës

për borën e parë.

Mirela dhe Pirroja u ngritën në këmbë dhe

mbështetën kokën te xhami. Ai e kishte kapur lehtë

në sup. “S’e ke hapur gojën fare...,” – i pëshpëriti

ajo në vesh. “M’i ke vjedhur fjalët ti” – ia ktheu

ai. ”Pastaj, ç’i do fjalët, mjafton që të kam ty

pranë... të tjerat s’kanë rëndësi.” “ E di, po të tjerët

ndoshta ofendohen.” “Nuk i ftoi njeri të uleshin

këtu... Do të isha i lumtur të ishim vetëm të dy...”

“Mos doje të kishe gjithë trenin në dispozicion?”

U ulën përsëri dhe u ndodhën para një të

papriture. Mbi tavolinën e vogël dhe mbi gjunjët e

Nondës e të Serafinës ishin përhapur lloj-lloj

ushqimesh, ëmbëlsirash e frutash. Shishja e

rakisë tani kishte arritur te gjysma, megjithëse

nga qëndra e zërit herë pas here porositej, midis

të tjerash, se në tren ndalohej pija alkoolike.


Rozi Theohari

– Eu..., sot na falet, - thoshte Nonda, - do të

pimë se kemi për të uruar shumë gjëra. Ja për

shembull, ti shok, - i tha ai një puntori që ishte

ulur nga ana tjetër e ndenjëses, - e ke realizuar

planin vjetor?

– Ai ka turp të thotë, - ia priti e shoqja, - po ka

tre muaj që e ka realizuar...

– E shikon? – u gëzua Nonda – e meriton një

dolli. – Dhe i zgjati punëtorit shishen e rakisë.

Kur kjo i erdhi përsëri në dorë, tha:

– Dhe tani do të nisem e do të shkoj te makinisti

i trenit, mbase dhe ai e ka tejkaluar planin e

udhëtimeve e të udhëtarëve.

– Na, ore ti, je në vete? – i tha e shoqja dhe e

tërhoqi prej xhakete.

Nonda u ul në vendin e tij dhe ndjeu vështrimin

e gëzuar e miqësor të Pirros e Mirelës.

– Po ç’më rri si hu, moj grua, po ti s’u ke dhënë

të hanë asgjë fëmijëve, - iu drejtua ai Serafinës.

– Se mos le kohë ti të mendohemi për të gjitha,

-i tha ajo dhe i ndau ushqimet në racione të

barabarta.

Mirela, edhe ajo nga ana e saj, hapi çantën

dhe i ndau të gjitha ç’kishte me vete.

Nonda hëngri radhazi tri byreçka me reçel që

ia dhuroi Mirela.

– Qënkan të shijshme, - i tha. – Vetë i ke

ashtisur?

– Jo vjehrra.

– Di të bësh byreçka si këta ti Fina?

– Ç’pyetje çiliminjsh! Domosdo që di, - tha ajo

e pakënaqur. E shpoi me bërryl dhe shtoi: - Dreqi

vet është. Të thuash ti, s’ka ngrënë kurrë!

– Hm... kam ngrënë, si jo, - tha Nonda. – E

kisha fjalën për byrekët me marmalatë...!