Tuesday, September 18, 2007

Intervista -Interviews

TAKIMI IM ME POETIN ESENIN—BIRI
Nga ROZI THEOHARI—Boston


Ishte një radhë e shkurtër tek prisnim me tim shoq të blinim disa fruta në një shitës ambulant në downtown Boston. Para nesh, një çift rus, meso burrë e meso grua pëshpërisnin të befasuar tek shihnin me habi madhësine e luleshtrydheve, gati-gati sa një mollë.“Shiroka strana maja radnaja!”(I gjerë është atdheu im), mërmërita unë nga prapa vargun e parë të një kënge ruse. Rusët kthyen kokën dhe buzëqeshën. “Shiroka është Amerika tani, -tha gruaja,- dhe na dha të njohur. Ishte pranverë e vitit 1994, sapo kishim mbërritur në Amerikë, e njëjta gjë edhe për çiftin rus...kështu pak nga pak filluam miqësinë. Shëtitjet së bashku buzë oqeanit na njohën edhe me emigrantët e tjerë rusë, disa moskovitë, disa peterburgas, ukrainas, bjellorusë..., disa çifute, të tjerë - ortodoksë etj. Rikujtonim edhe një herë miqësitë e kapitulluara shqiptaro-sovjetike, universitetet, muzikën, terrorin e kuq, dramat familjare etj. Bota kishte ndërruar fytyrë e kjo po incizohej pak nga pak edhe në kodin shpirteror të ishnjeriutmendërgjegjesocialistekomuniste. As që mund të permendej tani madhështia e shtetit sovjetik, kufijtë e tij të gjerë dhe hiearkia e diktaturës së proletariatit. Amerika si përherë kishte hapur krahët me bujarinë e saj, duke pranuar, me stomak të fortë, ish- bolshevikë, ish- komunistë, ish- bashkëpunëtorë të spiunazhit, që dikur dëshironin t’i bënin varrin...Dhe ajo i pranonte e i bënte njeri pas tjetrit qytetarë amerikanë duke filluar që nga i biri i Hrushovit...Amerika ndër vite kishte pranuar e mbrojtur disidentët sovjetikë, personalitete të shquara të artit e të shkencës. Një çift i moshuar bashkëshortësh më tregonin se dikur patën qenë autoritete të rëndësishme në Moskë dhe kishin votuar për Stalinin, ndërsa në Massaçusetts votuan për një president amerikan. Një mikeshë ruse më habiste me rrëfimet për radhët e gjata që duhej të mbaje në Moskë për të blerë një biletë për të vizituar mauzoleumin ku prehej Stalini. Po ashtu, në pritje të gjatë deri sa të të vinte radha për t’u futur në mauzoleum. Trupi i Stalinit ishte i shkurter, me flokë të kuqërremta e të thinjura. “Pse kishim kaq frikë nga nje burrë kaq i vogël?”, - thoshte ajo. Një mike tjeter, çifute ruse, kujtonte me lot në sy se pas Revolucionit te Tetorit çifutet e pasur i futën në burg dhe me revolverin te koka u kerkonin florinjtë. “Gjyshja ime, atëhere vajzë e vogël, qante sepse nuk e pranonin anëtare të organizatës se pionierit, për arsye se e kishte babanë në burg...”,- thoshte ajo.
Në rajonin e Bostonit sot jetojnë mijëra rusë të përfshirë në komunitetin rus, me organizatat e shoqatat e tyre, me qendrat e mjekimit profilaktik e ambulator nga mjekë e specialistë rusë, por edhe me dyqanet, klubet, libraritë e bibliotekat, sallat e shfaqjeve e koncerteve. Veriu i Bostonit njihet si vendi ku breza të kaluar poetësh amerikanë patën krijuar klubet e tyre të poetëve ku mblidheshin e recitonin poezitë e veta, botonin edhe revista me kritika e vlerësime rreth krijimtarisë së shkrimtarëve bostoniane. Pak a shume kjo traditë vazhdon edhe sot dhe duket se në vazhdën e saj është ngritur klubi i poetëve rusë në veri të Bostonit. Aty mblidhen per muaj poetë rusë të moshuar, të ardhur nga vendlindja dhe poetë të rinj të shkolluar në Amerikë, si dhe dashamirës të poezisë. Poetet recitojnë poezitë e veta ose poezi nga poetë të shquar rusë dhe nga e gjithë bota... Miket ruse më kishin folur për këtë klub e më kishin ftuar të shkoja me to, por për mungesë kohe e kisha shtyrë muaj pas muaji. Duke shëtitur përgjatë oqeanit, në muajin gusht, Sima, shoqja ime ruse më tha se më 22 shtator , në klubin e poetëve rusë do të merrte pjesë edhe poeti Aleksander Sergejeviç Esenin, i biri i Sergei Eseninit. Ky lajm më erdhi aq papritur sa gati ngriva e m’u mor fryma . Se pari, nuk e dija në se mund te ishin gjallë fëmijët e Eseninit të famshëm dhe, e dyta e më e paimagjinueshmja, se njeri prej tyre jetonte e frymonte aq pranë shtëpisë ku banoja, buzë Atlantikut. Dëshira ime për ta takuar këtë personazh u bë gati e papërballueshme dhe i thashë Simës se me sa padurim prisja që të vinte shtatori, per t’i marre atij një intervistë... “Ti duhet më mirë t’i shkosh në shtëpi,- më këshilloi ajo,- në klub nuk do të gjesh kohën dhe qetësine e duhur.”
Fillova të takoj të njohurit e miqtë e tij për të më ndihmuar. Por mora pergjigje jopremtuese, mbasi plaku Esenin nuk para i kishte qejf intervistat mbasi gjithë kohën merrej me studimet e veta filozofike e matematike. Ishte matematikan i dëgjuar. Së fundi sigurova numrin e tij të telefonit, e keshilluar nga miqtë që të mos e përmendja veten gazetare. Ishte e henë, 10 shtator 2007 ora 9 e darkes , u mendova disa herë para se ta ngrija receptorin e telefonit. Me gishtërinj të djersitur formova numrin e tij të telefonit dhe... m’u pergjegj një zë i dobët, i dridhur, i hollë, pleqërie. U prezantova duke folur në anglisht, ai ma ktheu po në anglisht, pastaj vazhdoi në rusisht. I thashë se isha një mike shqiptare, që dëshiroja të takohesha me të më 21 shtator , në ditën e perkujtimit të lindjes së babait të tij Sergei Esenin. Ai më tha se babanë e kujtonte me 3 tetor, sipas kalendarit te ri. Pas nje pauze i thashë se lusja Zotin që ma solli mbarë këtë ditë të bisedoja me të në telefon. Ai ma ktheu se nuk besonte në Zot...Pas një pauze tjetër i thashë: “Vij të takohem me ju, mbasi kam dëgjuar që jeni një matematikan i suksesshem...” “Pikerisht,-tha ai,- tani po zhvilloj nje teoremë e të lutem më merr pas një ore, kur ta përfundoj.” I telefonova pas një ore, i thashë se isha Rozi dhe e pyeta me interesim se si doli teorema. Zeri i tij u bë me i ngrohtë, me tha se i pelqente të më therriste Roza, si një emër rus, e filloi te fliste me pasion për studimet dhe idetë e tij te reja në fushën e matematikës. E informova se kisha mbaruar Fakultetin Ekonomik në Tiranë dhe matematika më kishte pëlqyer gjithmonë e dëshiroja të mesoja diçka rreth studimeve të tij. Ramë dakord ta takoja dy ditë më pas, më 12 shtator, të merkurën në mesditë, gjatë shëtitjeve të tij në buzë të oqeanit, i shoqëruar nga Ludmilla, një infermiere ruse, e cila kujdeset për shëndetin e tij. Aleksandri më tha të vija me Oleg Pavlloviçin, një të njohurin e tij. Takova Olegun, përgatita pyetjet e intervistës, përktheva disa vargje nga rusishtja, bëra gati çantën me magnetofonin, aparatin fotografik dhe bllokun e shënimeve. Për fatin tim, të nesërmen, në një ditë të ngrohtë e plot shkëlqim dielli, duke parë plazhin plot njerëz e umbrella, nuk i shpëtova dot tundimit e u futa të lahesha në oqean në një ujë të akullt... Mëngjesin tjetër u gdhiva me fytin e zërin të bllokuar dhe me një kollë qe s’pushonte. I telefonova Olegut e i shfaqa keqardhjen qe nuk mund të shkonim. Dëgjova një murmurimë mospëlqimi nga ai në telefon. Mezi e kishim përgatitur këtë ditë. “ Rri në shtrat e shëroju mire para se të caktojmë një takim të dytë”, tha ai.
ME ALEKSANDER SERGEJEVIÇ ESENININ
Takimi i dytë u bë ditën e hënë, më 17 shtator, në orën 12 të drekës. Oleg Pavlloviçi erdhi më mori në shtëpi me makinë e më tha se duhej të ishim te Aleksandri në mesditë. Esenini është matematikan dhe i respekton numrat. Nuk munda t’i përmbaja dot rrahjet e zemres kur trokitëm në derën e apartamentit të tij, e sigurt se derën do të na e hapte ai vetë. Para nesh u shfaq figura e një burri të gjatë, elegant, me një pamje fisnike, veshur me pantallona të zeza dhe kemishë të mëndafshtë gri. Në fytyrën e tij ovale të bardhë e me disa njolla pak të kuqërremta nga pleqëria, spikasnin dy sy te mëdhenj, sferikë, blu e të qartë, të gjallë e të lëvizshëm, kërkues e të njomur nga një hijeshi shprehëse. Ishin sytë e të atit, Sergei Eseninit, që “shkëndijonin si lulzimi i luleve në një arë me thekër”. Unë pashë sytë e poetit Esenin. Ata vazhdojne të jenë gjallë edhe sot!... Po ashtu ,te mjekra dhe te buzët e rrumbullakta e të fryra ishte krejt i ati. Kishte mustaqe e mjekër të thinjur, një mjekër të stilit skandinav, e ndarë në dy pjesë simetrike nën gushë ... Atë moment përsërita me vete “Sytë e Eseninit jetojnë akoma!” Ndërkohë kishim këmbyer përshëndetjet dhe kur toka dorën me të, ai u perkul me respekt e më puthi dorën. Një shenjë mirësjelljeje ndaj femrës, një gjest që nuk e takon te burrat amerikanë. Pas kesaj puthjeje dora ime mbeti si e ngrirë e më vinte keq që të shkruaja me të. Në sallonin e pritjes të tërhiqnin vemendjen vetëm librat, shumë libra, revista shkencore, dosje, letra të vecanta me ekuacione matematike, shpërndare kudo, në biblioteke, mbi tavolinë, mbi rafte, karrike, aty dhe në dysheme. Infermieres ruse Ludmilla i duhet punë per t’i sistemuar ato vazhdimisht. Aleksandri qëndronte gjysme i shtrire në një kanape dhe po nga ai pozicion fliste. Unë u ula në një karrike përbri kolltukut , e papërqëndruar e disi e turbulluar sepse duhej të hapja bisedën për matematikën...Duke e parë Aleksandrin në pozicionin shtrirë, me sytë e mi të mjegulluar, si në një palimpsest shëmbelleva trupin e të atit, Sergei Eseninit, trupin e tij të pajetë që prehej në shtratin e lamtumirës, në Shtëpine e shtypit në Moskë, më 30 dhjetor 1925. Në kokë më godisnin fjalët e metalta, fjalët e shkruara me gjakun e ngrirë të trupit të tij:
Lamtumirë, miku im, lamtumirë/I dashur, tani të kam në zemër/.........../Lamtumirë , miku im, pa përshëndoshje dhe pa fjalë/........../Nuk është gjë e re të vdesësh në këtë jetë/Por edhe të jetosh, sigurisht, nuk është e re.../
U ktheva shpejt në realitet dhe me një drithërimë i kujtova Aleksandrit se si vajzat ruse edhe sot e kësaj dite çojne te varri i të atit lule, zemra e fotografi. Të njëjtën gjë do të bënin edhe vajzat shqiptare, po të kishin mundësi, sepse Sergei Esenini është poeti i dashur i shqiptarëve dhe ne i pekujtojmë me nderim përvjetoret e tij të vdekjes e të lindjes...Ai më dëgjonte me sytë gjysmë të mbyllur. Pas nje pauze shtova:
“Aleksander Sergejevic...sot ndjehem e nderuar dhe e lumtur të ndodhem pranë jush...”
“Siç e dini,-tha ai,- babai im, Sergei Aleksandroviç, ka lindur me 3 tetor 1895, sipas kalendarit te ri, dhe unë e përkujtoj vetëm në këtë ditë e jo më 21 shtator, siç më thatë ju në telefon. Unë jam i vetmi, fëmija e tij i fundit i mbetur gjallë.”
Fatmirësisht ai e vazhdoi bisedën për të atin dhe unë fillova te lexoja shpejt një listë me emra e data që i kisha nxjerrë nga librat biografikë. Gjatë jetës së tij të shkurtër Esenini njohu disa gra me të cilat pati lidhje martesore, por edhe fatkeqësi ndarjeje. Me 1913-1915 Sergei Esenini ishte i martuar me Ana Izriadnovën dhe kishin nje djalë, Jurin. Juri u arrestua me 1937 dhe u vra nga çekistet. Me 1917 Esenini u martua me Zinaida Raikh dhe kishin një djalë e nje vajzë: Kostandinin, reporter sporti, i cili vdiq me 1986 dhe Tatiana, e cila vdiq me 1992. Më 1922 u martua me valltaren amerikane Isadora Dunkan dhe më 1925 u martua me Sofija Tolstojen, mbesën e Tolstoit...Aleksandri përsëriti: “Po, une jam i vetmi femijë mbetur gjallë”. Ai kujtoi se vëllai i tij i madh, Juri, u ekzekutua sepse e urrente Stalinin. Ndërsa me vellanë tjetër, Kostandinin, kishin qenë vellezër e miq të mirë. Ai vazhdoi: “ Babai e takoi nënën time çifute Nadjezhda Volpin në vitin 1923 dhe në 12 maj të vitit 1924 u linda në Petersburg, unë, Aleksandri, duke më quajtur pas emrit të gjyshit. Mbiemri im është Volpin Yesenin...” Pastaj vijoi të tregonte për të atin:
“ Sergei Esenini, im atë, jetoi e shkroi lirikat e tij në kohë luftrash, revolucionesh, lufte civile. Ai ishte poet nacional rus, poet fshatar me rrënjët në fshatin rus dhe nuk mund t’i përkiste as forcës historike të klasës punëtore dhe as partisë komuniste. Në fillim babai shpresonte se revolucioni do të sillte një të ardhme të mirë, por më vonë u zhgënjye nga bolshevikët. Madje ai nuk ishte i zoti të lexonte edhe pak faqe nga librat e marksizmit...Ne lirikat e tij ai nuk i këndoi njeriut bolshevik, por dramës së njeriut, me nota melankolike dhe plot zjarr. Babai im ishte poeti i fundit fshatar dhe mbeti poeti i popullit edhe pas vdekjes. Poezitë e tij i rezistuan periudhës së Stalinit, megjithëse rendi në fuqi nuk i aprovonte... Ai ishte kundër teorisë “art për art”. Shpirti i babait ishte mbushur plot dashuri për jetën dhe tokën, e cila është e lidhur aq shumë me jetën e njeriut...Megjithëse për disa kohe ishte anëtar i “imagjinistëve”, ai u nda edhe prej tyre, më 1924, dhe udhëtoi për në Kaukaz. Në këtë vit babai dëshironte të udhëtonte me nënën time Nadjezhdën, në Iran, por qeveria bolshevike nuk i dha vizën dhe ai vizitoi e qendroi në Tiflis, Baku dhe Batum. Aty shkroi ciklin “Motive persiane.””... Kur i ati ndërroi jetë në dhjetor 1925, Aleksandri ishte vetëm një vit e gjysmë dhe shqiptonte fjalën “papa”, ndoshta dhe në momentin e fundit të jetës së tij.
“- Ju kishte pare babai ndonjëherë?,” - e pyeta.
“- Disa më kanë thënë se babai nuk më ka parë kurrë. Por disa të tjerë kanë pohuar se babai më ka parë dy herë para se të ndodhte vdekja e tij tragjike.”Ai vazhdoi të tregonte se i ati pothuaj ishte i dehur për shumë kohë dhe në atë gjendje nuk i kontrollonte fjalët dhe sharjet. Ai i shante çifutet me fjalet “Zhidovskaja Morda”, dhe kishte pasur probleme nga këto sharje. Atëhere në Bashkimin Sovjetik kishte ligje të rrepta kundrejt personave që ofendonin ndjenjat e kombësive të tjera. Kështu, duke udhëtuar me tren, babai i pirë e pa logjike, filloi të shante çifutët, e pranë tij, si gjithnjë, ndodhej një njeri i KGB-se. Ai e arrestoi dhe gjyqi i zhvilluar shpejt vendosi ta dërgonte në klinikën psikiatrike. Pasi doli nga klinika, ai i dha fund jetës në hotelin ” Angleterre” në Leningrad...Mbase kërkuesit e biografisë së tij mund të dyshojnë se ndoshta vdekja erdhi nga qeveria, sepse ai nuk ishte më mik i qeverisë. “Megjithëse babai me Gorkin kishin qenë vazhdimisht miq, Gorki nuk e ndihmoi në fund të jetës së tij, mbasi nuk ishin kaq miq si më parë,” -perfundon Aleksandri dhe mediton për një çast me sytë e mbyllur...Kur i celi përsëri ata sy që shkrepëtinin me rreze të kaltra, i drejtova pyetjen:
“-Në cilën moshë ishit kur u ndërgjegjësuat për babanë e famshëm që kishit?”
“-Siç ju thashë, kam lindur në maj 1924, në Leningrad, dhe jam rritur nga nëna ime Nadjezhda Volpin dhe gjyshi nga ana e nënës. Nëna ime, një figurë e njohur e letërsisë, ka qenë poete dhe përkthyese nga gjuhët kryesore evropiane : frengjishtja, anglishtja, gjermanishtja, por edhe nga gjuhë të tjera...Ndërsa babai ishte lindur në fshat, në një familje ortodokse, nëna ime rridhte prej një familjeje çifute, elite, nga shtresa e vjetër e intelektualëve të Moskës. Tetë vjetët e parë të jetës i kalova në Leningrad e më vonë, bashkë me nënën, u vendosëm në Moskë pranë familjes së gjyshit. Nëna ime ka ndikuar shumë në edukimin tim intelektual. Ajo dëshironte të studioja gjuhët evropiane duke filluar nga gjermanishtja e frengjishtja. Frengjishten e mesova vetë, por edhe me ndihmen e mesueses që ma vuri nëna. Në të njëjtën kohë lexoja edhe poetë francezë, poezite e të cilëve ishin mbresëlënëse...Gjyshi ishte avokat dhe unë fillova të lexoja edhe disa nga librat e jurisprudences, aq sa mund të kuptoja në moshën 14-15- vjeçare. Leximi i këtyre librave më ngjalli dëshiren që më vonë t’i vihesha studimit të filozofisë. Pra, me këtë bagazh kulture isha kur fillova të interesohesha e të lexoja edhe poezitë e babait, Sergej Eseninit. Isha 14 vjeç, kur lexova poezinë e parë të tij “Çjornij çellovjek” (“Njeriu i zi”) dhe kuptova se babai im i madh kishte famë në gjithë vendin .”
Une hapa bllokun e lexova në shqip e rusisht disa vargje nga kjo poezi: /Ah mik, o miku im,/ Sa i sëmure jam, tash e di!/ ......./ Dhe përseri, hija e njeriut të zi/ Ulur në karriken time rri!/ Ai heq kapelen pa teklif/ Shkujdesur heq pelerinen.../
Aleksander Sergejeviçi uli kokën e murmuriti në rusisht: “është një poezi e mirë...”
“-Esenini, profeti e poeti fshatar, u be mit e legjendë dhe sot vazhdon të cilësohet poeti më i dashur i Rusisë...Pra, duke lexuar poezitë e tij, ju lindi dëshira për të shkruar edhe vetë?”,- e pyeta Aleksandrin.
“- Ndoshta nuk është plotësisht ashtu!,- u pergjegj ai,- Siç ju thashë, jam rritur e edukuar nën kujdesin e nënës sime çifute, e cila bashkë me gjyshin dëshironin të bëhesha nje intelektual i kompletuar. Sigurisht që në moshë të re, duke lexuar poetët francezë, unë u frymëzova të shkruaja edhe vetë poezi, kjo ndjenjë erdhi në mënyrë të natyrshme tek unë e u zhvillua më tej. Në moshën 14 vjeç, kur isha në gjimnaz, dëshira ime e zjarrtë ishte të studioja sa më shumë matematikë, qysh në atë moshë, perveç librave të shkollës shfrytezoja edhe literaturë plotësuese. Matematika hodhi rrënjë në shpirtin tim e do të më shoqëronte gjithë jetën.” Pastaj ai tregon me një zë të ngadaltë e ëndërrimtar se si e priti me padurim ditën kur u regjistrua në Universitetin e Moskes për të studiuar matematikë. Atë ditë të shënuar të jetës së tij nuk e harron kurrë, ishte e premte dhe dy ditë më vonë, të dielën, më 22 qershor 1941 Gjermania naziste i shpalli luftë Bashkimit Sovjetik. Ai ishte i ri në moshë, por e morën në luftë. Ndërkaq mjekët e kthyen prapë në jetën civile duke i vënë diagnozen e skizofrenisë, pa e testuar e pa e ekzaminuar. Shkak për këtë u bënë poezitë e tij antisovjetike...Ndër poezitë e para që Aleksandri shkroi në vitin 1941, ishte dhe ajo me titull “Skizofrenia”, e cila fillon ne planin individual : /Unë prisja—doktorët të mbaronin murmuritjen.../, dhe mbaron ne planin universal—me skizofrenët që shkaktuan Luftën e Dytë Botërore.
Sidoqoftë, perjashtimi nga ushtria i solli mbarësi Aleksandrit, mbasi tani ai iu pervesh studimeve në Fakultetin Mekanik Matematik ne Universitetin e Moskes, ne moshen 17 vjeç. Në të njëjtën kohë, perveç matematikes, Aleksandri studioi edhe filozofinë. Autorët e tij të preferuar ishin Niçja, Kant e mjaft teoricenë të tjerë. Vazhdonte gjithashtu të shkruante poezitë e tij të verteta e të jashtezakonshme për realitetin e momentin kur krijoheshin. Aleksandri kurrë nuk i besoi materializmit dhe kurrë nuk e zbatoi metodën e realizmit socialist. “Ishte koha ime e vyer e thellimit te studimeve, deri në qershor 1949, kur më burgosën”, -perfundon Aleksandri.
“-Pse ju burgosën?”,- e pyeta.
“- Isha vetëm 25 vjeç. Më burgosën për shkak të poezive të mia antisovjetike; sepse lexoja në rrethe të ngushta miqsh poezitë e mia, të cilat ishin kundër rendit në fuqi. Përpara burgosjes më shtruan ne spitalin psikiatrik duke menduar se u perkisja episodeve psikike të familjes Esenin. Mjekët perdorën lloj- lloj aparaturash e medikamentesh mbi trupin tim për të vertetuar diagnozën false, por nuk ia arriten. Unë pohoja vazhdimisht se jam ky që jam dhe nuk mund të ndryshoj. Truri im ishte i shendoshë dhe i etur për studime...Më nxorën nga spitali e më futën në burg. Pranë meje qëndronte një civil i KGB-se , i cili më spiunonte vazhdimisht. Për here të parë në jetën time u gjenda prapa hekurave . Hetuesit, mbasi më sollën “vërdalle” me pyetje e kërcënime, më urdheruan të merresha vetëm me matematikë e jo me vargëzime.”
Kur Aleksandri mbaroi anspiraturën dhe mbrojti disertacionin e kandidatit te shkencave, po në vitin 1949, u dergua me dënim ne Kazakistan, në punë të detyrueshme, në qytetin Semipallatinsk, vendi ku grumbulloheshin njerëzit e sapodalë nga burgjet. Jeta në Semipallatinsk ishte e vështirë, mbasi atje vetëm punohej rëndë, pa pagesë, e të jepej vetëm ushqim e strehim...”Në vitin 1950,- vazhdon Aleksandri,- e vazhdova dënimin në Karagandë, me cilësimin e padeshirueshëm: “element social i rrezikshem” . Megjithatë, unë aty punova si shkencëtar dhe shkrova vargje si poet. Unë u bëra shkencëtar i matematikës në Karagandë...Më 1953 kur vdiq Stalini erdhi edhe shpetimi yne,- thotë Aleksandri,- isha i lire... u ktheva në Moskë e vazhdova të merresha me studime...”
“-Cili eshte specialiteti juaj ne fushen e matematikës?”,- e pyeta.
“- Unë studioj matematikën logjike, bazat e matematikës dhe ultraintuitionizmin. Matematika lidhet me logjikën, filozofinë dhe moralin...Por kur isha në vendlindje, nuk e ndava vjershërimin krahas matematikës.”
“-Tamam si matematikani Lewis Carroll , autori i librit “Liza ne boten e çudirave”, - i thashë unë, megjithëse rasti juaj është më specifik, ju ishit biri i dy poetëve...A janë prindërit tuaj poetët më të preferuar për ju?”
“- Jo,- u pergjegj ai,- poetët e mi të pelqyer janë Bloku dhe Gumilevi”...Pas pak ai shtoi edhe emrin e Bodlerit.

GJETHI I PRANVERËS
Një turist amerikan që vizitoi ish- Bashkimin Sovjetik në verën e vitit 1959, e takoi dhe e porositi Aleksander Sergejeviçin të shkruante një esse me titull “Një traktat i lire filozofik”. Aleksandri e shkroi shpejt essenë dhe bashkë me të i dha të huajit edhe një pjesë të poezive të tij. Libri profetik me emrin e Aleksandrit u botua në Perëndim, në vitin 1961 ,me titull “Gjethi i pranverës”, në gjuhët ruse dhe angleze. Botimi i tij pati jehonë të madhe. Ishte libri i dytë pas “Doktor Zhivago” te Pasternakut, që botohej jashtë kufijve sovjetike, pa pelqimin e qeverisë. Në kopertinën e përparme te librit, poshtë titullit është shkruar nga dora e Aleksander Eseninit: “Në Rusi nuk ka liri te shtypit, po kush mund të thotë se nuk ka liri të mendimit?” Akti i Aleksander Sergejeviçit u denua nga qeveria sovjetike si “akt ilegal” që u jep të huajve sekretet e shtetit dhe filozofi i shquar u arrestua për spiunazh. Pas burgosjes, sipas procedurave të parapergatitura, ai u dergua përsëri në spitalin psikiatrik. Por esseja e shkurtër e A.Volpin-Eseninit, me kalimin e viteve fitoi rëndësi historike si një ndër librat më të rëndesishëm që kishin depërtuar jashtë perdes së hekurt, duke u cilësuar “Lëvizja disidente”. Poezitë e tij, të cilat kurrë nuk u botuan në shtypin sovjetik, lexoheshin fshehurazi nga intelektualët, të cilët shpesh i vlerësonin më shumë se poezitë e të atit.

“-Aleksander Sergejeviç,- i drejtohem me respekt njeriut me mjekër të bardhë që rri gjysmë shtrirë në kolltuk, pranë meje,- nuk dua t’ju lodh me pyetje, vetëm dua të di si i keni kaluar situatat e veshtira...ju u arrestuat për herë të dytë më 1959...më 1961 u botua jashtë atdheut libri juaj klandestin...
“- Pesë herë jam futur në institucionet psikiatrike”,- shtoi ai dhe tundi në ajër dorën e tij të djathtë me gishtërinjtë e hollë e të gjatë, sikur donte të thonte: “Vafshin të gjithë në djall!”...Pas pak, ai tha me zë të lartë: “Për çka shkrova dhe veprova, nuk pata asnjë shqetësim për pasojat që më prisnin...”, fjali e cila është shkruar me dorën e tij në fund të librit “Gjethi i pranverës”.
Pas një pauze shtova: “- Jeni cilësuar si zëdhënësi i parë i Gllasnosit!”- . Aleksandri ktheu kokën nga unë me sytë që i shkreptinin. “- Ne sheshin “Pushkin” të Moskës,-vazhdova une,- tamam aty...ju perfytyroj duke mbajtur fjalimin tuaj historik...duke përmendur “Glasnost”, këtë fjalë që e patët gjetur ne Kodin Procedurial dhe e bëtë publike...”Glasnost” që nënkupton çfare ndodh prapa dyerve te gjyqit...ju u bëtë disidenti rus, i cili hapi rrugën e “Lëvizjes së Gllasnostit”...Pas arrestimit të dy shkrimtarëve, në shtator 1965, ju Aleksander Volpin Esenin, organizuat “Mitingun e Glasnostit” më 5 dhjetor 1965 ne sheshin e Pushkinit, i ndihmuar e i pasuar nga poetet e rinj ruse...Ju folët në mitingun pranë monumentit të Pushkinit, ku arkivoli i babait tuaj kaloi për të fundit herë 40 vjet më parë...Ju folët në mitingun historik përballë ndërtesës së gazetës bolshevike “Izvestija” dhe perhapët idetë tuaja për liritë e të drejtat e njeriut...Megjithëse mitingu u nderpre nga KGB-ja, ju Aleksander Sergejeviç fituat sepse u cilësuat “simboli i lirise”, “lider”, dhe emri juaj si filozof, matematikan, poet dhe disident u kthye në legjendë në mbarë Rusinë...”
“-Mos harroni se KGB-ja më arrestoi pas mitingut, - tha ai me nënqeshje,- por më mbajtën 50 minuta në zyrat e tyre dhe më liruan.
“-Dhe ju më vonë u takuat e bashkëpunuat me Saharovin?”
“- Disa here.”- u pergjegj ai.
Tashme ishte krijuar një levizje disidente në opozitë me qeverinë sovjetike, lëvizje që kishte program dhe qellime te caktuara. Për regjimin sovjetik, e vetmja zgjidhje ishte t’i lejonte të emigronin jashtë këta elementë te padeshirueshem. Pra, per shkencëtarin e famshëm rus Aleksander Esenin, që merrej me studime logjike, ishte “logjik” edhe perfundimi i karierës së tij, duke e lënë atdheun në maj të vitit 1972, me trenin që e çonte në Vjenë.
“-Ju emigruat dhe vendoset te vinit në Amerikë?”,- e pyeta.
“-Unë e lashë Rusinë përgjithnjë...nuk kisha rrugë tjetër,- psheretiu ai,- për të vazhduar punën time intelektuale, duke zhvilluar më tej idetë e mia filozofike e politike...
Ne vitin 1972 pushteti sovjetik më deboi nga atdheu,-përseriti ai me nje ton zemërimi.- Me njerëzit e rendit në fuqi kam patur gjithnjë kontradikta, sepse i shprehja hapur idetë e mia për lirinë e individit dhe kjo mjaftonte për t’u armiqësuar me pushtetin. Pasi më debuan e dola jashtë kufjive sovjetike, disa muaj i kalova në Greqi, Francë, Itali. Italia ishte e fundit dhe prej aty u nisa për në SHBA, në të njëjtën kohë erdhi edhe Brodski.”
(Nga kronikat mësohet se edhe poeti Josif Aleksandroviç Brodski erdhi në Amerikë dhe u emerua profesor i letërsisë ne Universitetin e Kembrixhid, Mass. Brodski ishte disident i qetë e indiferent. Esenini ishte tip i revoltuar, gjaknxehtë e i papermbajtshëm.)
Aleksander Sergejeviçi udhëtoi nga Italia në shtetin e Nju-Jorkut, në Bufalo e më vonë udhetoi për në Boston, ku babai i tij kishte ndenjur disa kohë me amerikanen Isidora....Aleksandri u emërua profesor ne Universitetin e Bostonit dhe vazhdoi me studimet e botimet në fushën e filozofisë dhe shkencës së matematikës. Kur e pyeta për familjen e tij më tha se në Amerikë ishte divorcuar me bashkëshorten dhe se nuk kishin femijë. “Jeta ime i përket shkencës!”, -tha ai. “Por...edhe poezisë”,- i thashë unë.- Ai tundi dorën sikur nuk donte t’u jepte rëndësi poezive të tij. “Kam dëgjuar nga miqtë tuaj se ju recitoni permendsh, bukur , poezitë tuaja...Do të dëshiroja të regjistroja në magnetofon një recitim nga Aleksander Sergejeviç Esenini.”
Ai ngriti pak kokën, e mbështeti mbi një jastëk të vogël e filloi vargjet e para. Ishte një poezi e tij e shkruar në vitin 1950. Poezia nuk ka titull por po e quaj “Zemër e thyer”, sepse kështu fillon vargu i parë. Ajo i kushtohet dashurisë së bashkëshortit të burgosur dhe gruas së tij e cila vuan në një gulag. Vite të tëra pa u parë e pa komunikuar me njeri-tjetrin. Zëri i tij rezononte zërin e thellë të të atit, të cilit dikur i pelqente të recitonte permendsh për kuajt, për krishtin e embel, për udhëtimet, retë, revolucionin..., përpara degjuesve dhe admiruesve të tij. Aleksandri recitoi me një ndjenjë revolte, me mërzi, sytë e tij blu të qetë digjeshin nga një zjarr i brendshëm. Shpirti i tij që rënkonte, i drejtohej shoqes së jetës, e cila vuante larg dhe, po ashtu, vuante edhe ajo për bashkeshortin e saj mbyllur në hekura:
Zemërthyer...ndjenjash harruar...më ndan nga ti ligji i rreptë marcian,
Sa shumë e dashuronim njëri-tjetrin dikur,
Tani helmuar zvarritem i padukur si një insekt në mur...

Gjatë recitimit, në sytë e qiellta të poetit filloi të dukej pak nga pak revolta, e cila shprehej me ndryshimin e bluse, me zmadhimin e bebëzave ku degëzoheshin damarë të imët ngjyrë gjaku e që shkonin në harmoni me zërin që ngrihej plot revoltë kundër politikës. Por tonet e zërit uleshin sa here permendej dashuria e tyre e ndërprerë dhe e pafat...Gjuha ruse merr vlera të mëdha gjatë recitimit, me muzikalitetin dhe ëndërrimin... Duke mbajtur aparatin e incizimit pranë fytyrës së tij, u mrekullova nga shprehja e atyre syve të qarte blu, sytë e gjallë të Eseninit, ku vlonte lava e kuqe e kundërshtimit...Dukej sikur në ata sy shprehej mënia, dëshperimi dhe revolta e gjithë poetëve të botës qe i kanë kënduar e i kendojnë lirise.
Aleksandri na lajmëroi se pas recitimit do të mbaronte edhe koha e takimit. Kur na priti në fillim, ai na caktoi nje limit kohe prej gjysmë ore, por biseda shkoi mbi një orë e gjysmë. I dhurova me nenshkrimin tim tri librat e mi me poezi në anglisht dhe ai shkroi në gjuhën ruse në bllokun tim të autografëve: “ Milloj Roze...Rozi e dashur...Në këtë botë ku neve nuk na është dhënë më shumë se zero, vështirë të besosh në Zot!... Aleksander Sergejeviç Volpin Yesenin, Shtator 17, 2007”
Në përkthimin shqip të autografit unë e modifikova fjalën me të cilën Aleksandri shante Zotin në variantin rusisht. Kjo më solli ndërmend nje poezi të të atit, Sergei Eseninit, i cili, po ashtu, në atë mënyrë shante hënën. Kur po bëheshim gati të largoheshim, ai na ftoi të pinim diçka, por ne nuk donim ta vinim në mundim dhe e falënderuam duke i uruar të takoheshim përsëri i ftuar në shtëpitë tona. Ai na percolli deri te dera e jashtme, e perqafova dhe ai u perkul perseri e më puthi dorën.

NE KLUBIN E POETËVE RUSË

Ishte e enjte, 20 shtator 2007, kur i telefonova Aleksander Sergejeviçit e i thashë se isha Roza.
“- Rozafa?”,- tha ai me një zë përgëzues e më informoi se e kishte lexuar legjendën e Rozafës në anglisht, në librin tim, që ia kisha dhuruar dhe i kishte lënë mbresa. Këto fjalë sikur më çliruan pak nga emocioni dhe e njoftova se do të vinim ta merrnim në shtëpi me Oleg Pavlloviçin, ditën e shtunë, me 22 shtator, për të shkuar së bashku në klubin e poetëve rusë, në Revere, Mass.
Valentina Pattersor, një grua e re ruse me profesion inxhiniere, por dashamirëse dhe admiruese e poezise, e ka vënë në dispozicion të klubit shtëpinë e saj të madhe dykatëshe. Një bjonde e bukur dhe e sjellshme, veshur me nje fustan te zi dekolte dhe me cizme të bardha ruse, Valentina na priti te dera tërë buzëqeshje e ngrohtësi si të ishim dasmore. Burra e gra ruse, rreth 60 vetë te moshave të ndryshme, u takuan me njeri-tjetrin, kembyen bisedat e rastit, trokitën gotat e verës, e syrit tim nuk i shpetoi mënyra se si e pritën e u kujdesën plot dashuri kur në mes tyre u shfaq Aleksander Sergejeviçi. Pasi e përqafoi, Valentina e shoqëroi poetin plak tek nje poltron i rehatshëm pranë vatrës dhe i solli një pjate me sallatë e gatime të kuzhinës ruse. Unë u kujdesa të ulesha pranë Aleksandrit, mbasi më kishin mbetur dy-tri pyetje pa përgjigjet e tij. Nderkohë në dy sallat u bë qetësi dhe poeti i ri rus Boris Berdnikov filloi të recitonte poezitë e tij të fundit, por edhe poezi nga Ahmatova, Esenini etj. Une recitova në gjuhën shqipe dy poezi nga Sergej Esenini:
SHAGANE: /Shagane, shpirti im, Shagane/Nga veriu unë jam, të kam thënë/Ti s’e di thekrën tonë si fle/Dallgëzuar nën dritën e hënës/Shagane, shpirti im, Shagane!.../
LETËR NËNËS: /Gjallë je ti moj, nënoshka ime?/Gjallë jam dhe unë. Të përshëndes!/Paqja mbulofte këtë mbrëmje/ Izbën tëndë deri në mëngjes.../
Gjate leximit hidhja vështrimin vjedhurazi tek fytyra e Aleksandrit, me sy të mbyllur. Ai mbante ritmin me levizjet e pakta te kokës së tij të shogët.
Drejtuesi i seancës mbrëmësore, pasi bëri paraqitjen time si gazetare shqiptare, përmendi me nderim emrin “Smail Kadare” dhe bëri një prezantim të shkurtër të veprës së tij. Shumë dëgjues nga salla përsëritën emrin “Smail Kadare”. Unë përmenda edhe emrin e Dritëro Agollit, poetit tonë fshatar, të ngjashëm me Eseninin rus...Pas recitimeve pasoi nje pushim i shkurtër dhe filloi koncerti në oborrin e pasme të rrethuar të shtepisë. Një këngëtar rus këndoi e shoqeroi me kitare këngë ruse të vjetra e të reja. Ritmi i këngëve ndiqej me buzëqeshjen e grave të reja dhe me psherëtimën e “babushkave.” Sikur u krijua një qiell i vogël rus. Megjithëse më ka pëlqyer muzika ruse, ajo që më tërhoqi më shumë vemendjen atë natë ishte kujdesi që tregonin bashkatdhetarët për Aleksander Sergejeviçin. Ata e ftuan poetin të ulej në reshtin e parë pranë një tavoline të vogël e i servirën disa pije. Kur filloi fresku i mbrëmjes, një nga të ftuarit e zhveshi pullovrin e tij të leshtë dhe ia dha ta vishte Aleksandrit, i cili ishte vetëm në kemishë. Aleksandri e falënderoi mikun dhe vazhdoi të ndiqte meloditë me emocion dhe i perhumbur në kujtimet e tij.

NJË BUQETË ME LULE NGA POETËT SHQIPTARË
Mëngjesin e 3 tetorit 2007 i telefonova Aleksander Sergejeviçit dhe i shfaqa dëshiren t’i bëja një vizitë në shtëpi për të përkujtuar 112 vjetorin e lindjes se babait, Sergej Aleksandroviçit. Ai e priste me kënaqësi vizitën time e më ftoi të shkoja atë pasdite. Në dyqanin e luleve pranë ndertesës sonë zgjodha dymbëdhjetë trendafilë të kuq të errët dhe shitësja i kombinoi bukur me luleshqerra të bardha e me gjethe dafine. Në kartolinë tekstin e shkrova në anglisht:
“Aleksander Sergejeviçit Esenin-Volpini...Këtë buqetë me lule në kujtim të pervjetorit të 112-të të lindjes së babait tuaj, poetit te famshëm rus Sergej Aleksandroviç Eseninit, në emër të poetëve shqiptarë—kudo në botë. Me dashuri e respekt, Rozi Theohari, Boston, 3 tetor, 2007”
Kur ia dorëzova buqetën, Aleksander Sergejeviçi më perqafoi dhe më falënderoi, pastaj pozuam disa fotografi. Dhoma e tij e pritjes ishte si gjithnjë plot libra e fletë të shpërndara kudo. Aleksandri, veshur me nje kostum bezhe me kuadrate kafe, u ul si përherë në kolltukun e tij pranë televizorit.
“- Sot kujtova ditën e lindjes së babait, i cili e pati jetën të shkurtër,- na tha ai pas pak,-por kujtova edhe nënën time, Nadjezhdën, e cila jetoi gjatë...Ajo vdiq më 1998 e ndoshta i ngjaj edhe une asaj e jetoj deri më 100 vjet. Kam shumë plane për studimet e mia e më duhet kohë...vetëm kohë!”
Unë i përmenda disa vargje të të atit, Eseninit, per muajin e tij të lindjes, tetorin, ku përshkruante keqardhjen dhe dhembjen ne shpirt që tetori ua merrte jetën dhe bukurinë luleve shumëgjyrëshe e i kthente ato në “skelete te metalta”. Pastaj, papritur e pyeta:
“- Vazhdoni ta ndieni veten bir i Eseninit te madh?”
“- Po këtë pyetje ma bëjnë edhe të tjerë! Duhet ta dini se per emigrantët rusë në Amerikë unë njihem dhe dihem qe jam Esenin-Biri. Për amerikanët jam shkencëtar, matematikan dhe filozof, ndërsa për veten time, unë kam individualitetin tim, personalitetin tim dhe pavarësine time...Unë jam poeti 83-vjeçar Esenin-Volpin!”
“- Dëshironi të ktheheni në Rusi?”,- e pyeta.
“-Unë e kam vizituar Rusinë pas Perestrojkës. Po të më ftojë qeveria ruse, do të kthehem të jetoj në vendlindje. Përndryshe, do të qëndroj ketu në Boston, do të kaloj pleqerinë duke vazhduar studimet e duke shëtitur buzë oqeanit.”
Aleksandri pa orën e murit e u kujtua se ishte koha e perëndimit të diellit. Ai na propozoi të bënim një shëtitje në breg, mbasi shtëpia e tij ndodhet pranë plazhit... Unë dhe Olegu e vumë në mes poetin Esenin e shëtitnim të heshtur pergjatë bulevardit të Atlantikut. Që aty mund të shohësh çdo mëngjes diellin e kuq që duket sikur kërcen hareshëm nga oqeani dhe perendimin e tij ose “sunset” prapa Saugusit. Tek shihja qiellin e perflakur në sfond të vijës së përthyer të gratacieleve të Bostonit, thosha me mend vargjet e Eseninit:
/Krahët e kuqe të diellit në perëndim/ Janë duke vdekur qetësisht/ ......../Mos u bëj kaq melankolike, izba ime përbri,/ Sepse vetmuar jemi une e ti.../
Ecja e pyesja veten, a e ndien vetminë Aleksander Sergejeviçi? A vazhdon të jetë “zemërthyer” si në vargjet e poezive të tij?
Tetor 2007. Larg, në horizont, në vijën që ndan oqeanin nga qielli, dallohet grupi i patave të egra që fluturojnë në drejtim të lumit Mystic. Ato vazhdojnë rrugën e emigrimit duke çarë qiellin në formën e shkronjës “V”, e cila të kujton mbiemrin “Volpin”.
Aleksandri ndali hapat befasisht e na tha se tani do të ndaheshim. E dija se ishte veshtirë ta takoja përsëri. Kur po përshëndeteshim, ia mora dorën e tij të djathtë, e mbajta në dy pëllëmbët e mia dhe ndjeva pulsimin e gjakut eseninian. Ua mbërtheva vështrimin syve të tij të kristaltë si të larë nga ujërat e Vollgës, ku ishte incizuar kodi eseninian i lirikave...
Unë e përqafova, ai më puthi lehtë në faqen e majtë dhe u përkul e më puthi dorën.
Lamtumirë, miku im, lamtumirë...
Do svidania, moj drug , do svidania...

Boston, tetor 2007

No comments: